Të dalësh nga rrugica e maces: Dekonstruksioni i Lindjes dhe Perëndimit dhe qeverisja globale
"A gjendemi në Rrugicën e Maces?" - pyet Manuel Montobbio në faqet e para të këtij libri të shkëlqyer. "Përtej metaforës, ndodhemi të paktën përballë katër pasqyrave konkave dhe konvekse, përballë lenteve, përmes të cilave shohim veten, të tjerët dhe botën. Shohim botën e Perëndimit dhe konstruksionin e universalitetit të tij të pretenduar; shohim botën e Orientalizmit dhe orientalizmat, nëpërmjet të cilave që nga Perëndimi shohim Lindjen, pohojmë dhe përkufizojmë Tjetrin; shohim botën e Oksidentalizmit dhe oksidentalizmat, përmes të cilave të tjerët shohin dhe përkufizojnë Perëndimin; shohim botën e "vlerave aziatike", deklarimi i të cilave që nga Azia pretendon të mbështesë dhe të afirmojë një universalitet apo vlera kolektive ndryshe nga vlerat e deklaruara si universale prej Perëndimit dhe për Perëndimin."
Libri është një ndërtim mjeshtëror mbi nevojën për të kërkuar një fat të përbashkët që mbështetet në dy shkolla mendimi: filozofinë politike (shumë e afërt me Kantin, megjithëse autori nuk e vë në dukje) dhe shkencën politike moderne dhe postmoderne që mbron demokracinë, ndërtimin e saj institucional dhe mbështetjen shoqërore.
“Montobbio shkon përtej përpjekjes për të kuptuar duke përcaktuar njëkohësisht edhe disa pika orientimi, duke shtjelluar elementet e një projekti të përbashkët bashkëjetese. Sot bëhet fjalë që të ndërtohet një vizion i përbashkët mbi zhvillimin e qëndrueshëm, paqen dhe demokracinë si ide- forca për qeverisjen globale. Dhe është ky objektiv i dyfishtë- të kuptuarit e asaj bote të re dhe kërkimi i një mënyre për të adresuar nevojën për rregull- ai që shërben si strukturë për këtë punë të shkëlqyer…..”
“… A është i mundur ndërtimi i kësaj kulture globale? I takon lexuesve të thonë fjalën e tyre për këtë. Nëse jo gjë tjetër, ky libër i kompletuar shpjegon se cilët mund të ishin elementët dhe struktura e saj. Është një punë, e cila në faqet e saj të pakta, përmbledh pikërisht “ndërtimin e një modeli për një sistem qeverisje globale”.” - Fernando Delage, Política Exterior
“Ky është një tekst jo-konformist dhe i nevojshëm… Libri është një ndërtim mjeshtëror mbi nevojën për të kërkuar një fat të përbashkët që mbështetet në dy shkolla mendimi: filozofinë politike (shumë e afërt me Kantin, megjithëse autori nuk e vë në dukje) dhe shkencën politike moderne dhe postmoderne që mbron demokracinë, ndërtimin e saj institucional dhe mbështetjen shoqërore. Por njëkohësisht, nën skemën teorike qëndron ideja se demokracia nuk imponohet, porse është një ngrehinë kulturore që duhet të vendoset qysh në themele, në mënyrë që të mos përdoret si instrument për përplasjet qytetëruese …” - Raúl Benítez Manaut, Foreign Affairs Latinoamérica
“Të dalësh nga rrugica e maces” është një ese ambicioze, shumë e dokumentuar dhe me një pretendim ezaurues mbi qeverisjen globale “ - Xavier Vidal-Folch, El País
Manuel Montobbio “na propozon në librin e tij një ese të vërtetë mendimi, një ngrehinë konceptuale që na shërben jo vetëm për të interpretuar realitetin kompleks politik ndërkombëtar në këtë fillimshekulli, por edhe për të menduar të ardhmen dhe për të propozuar “një model për t´u ndërtuar” për atë që po bëhet gjithmonë e më e nevojshme, të ashtuquajturën “qeverisje globale”, duke qënë se është e dukshme se Planetit Tokë sot për sot i mungon një kulturë që të garantojë mbijetesën dhe ruajtjen e tij… Ky libër është një prurje e rëndësishme në debatin ndërkombëtar mbi të ardhmen e qeverisjes globale. Një ese e shkëlqyer, e pazakontë, që nuk do ta lërë indiferent lexuesin.” - Francesc Badia, Quaderns de la Mediterrània
“El Callejón del Gato, me atë njohje “nga brenda” që ofron praktika e politikës ndërkombëtare, është një prurje e rëndësishme në debatin ndërkombëtar mbi të ardhmen e qeverisjes globale, sot më emergjent se kurrë. Një ese e shkëlqyer, e pazakontë, që nuk do ta lërë indiferent lexuesin. Përfundimisht një libër tmerrësisht aktual, dhe njëkohësisht duke kujtuar poetin Celaya, “i karrikuar me të ardhme”. - Francesc Badia, afkar/ideas
“Në momentet kur jemi në pritje të asaj që ndodh në cfarëdo vendi të planetit, kur çasti dhe e menjëhershmja na dikton dhe kur vëzhgimi i ngjarjeve predominon mbi reflektimin e shkaqeve të thella që i provokojnë këto ngjarje, ky libër është një udhërrëfyes i mirë për të analizuar në thellësi çështje me rëndësi të veçantë për jetën ndërkombëtare dhe rrjedhimisht për të gjithë ne që banojmë në të njëjtin planet…… Vepër jashtëzakonisht tërheqëse….” - José ángel Sotillo, Revista Española de Desarrollo y Cooperación